top of page
Suche
  • AutorenbildFisnik Komoni

Dhuntia më e madhe për njeriun

Artikull nga libri "Bisedat e Parisit" nga 'Abdu'l-Bahá

Dhuntia më e madhe për njeriun është ajo e intelektit, apo e gjykimit.


Gjykimi është fuqia me anën e së cilës njeriu fiton dijet për mbretëritë e ndryshme të krijimit dhe për fazat e ndryshme të ekzistencës, si dhe të shumë gjërave që janë të padukshme.


Duke zotëruar këtë dhunti, ai është në vetvete shuma e krijimeve të mëparshme, ai është në gjendje të hyjë në lidhje me këto mbretëri; dhe me anë të kësaj dhuntie, ai, përmes dijes së tij shkencore, mund të bëjë zbulime me vizion profetik.


Intelekti është, me të vërtetë, dhuntia më e çmuar që i është dhënë njeriut nga Bujaria Hyjnore. Vetëm njeriu, midis qenieve të krijuara, e ka këtë aftësi të mahnitshme.


Çdo krijim që i ka paraprirë njeriut është i lidhur nga ligji i rreptë i natyrës. Dielli i madh, yjet e panumërt, oqeanet e detet, malet, lumenjtë, drurët dhe të gjitha kafshët, të mëdha e të vogla, asnjë nuk është në gjendje t'i shmanget bindjes ndaj ligjit të natyrës.


Vetëm njeriu ka liri dhe, me anë të gjykimit apo intelektit të tij, ka qenë në gjendje të vendosë nën kontroll ose t'ua përshtasë nevojave të veta disa prej atyre ligjeve të natyrës. Me fuqinë e intelektit të tij ai ka zbuluar mjete me anën e të cilave ai jo vetëm përshkon kontinenete të mëdha me trena ekspres dhe u bie kryq e tërthor oqeaneve të paanë me anije, por, ashtu si peshqit, udhëton nën ujë me nëndetëse dhe, duke imituar shpendët, fluturon në ajër me aeroplanë.


Njeriu ka arritur të përdorë energjinë elektrike në disa mënyra-për dritë, si forcë lëvizëse, për dërgimin e mesazheve nga një anë e tokës në një tjetër, dhe me anë të elektricitetit ai mundet madje të dëgjojë një zë nga shumë milje larg.


Falë kësaj dhuntie të gjykimit apo intelektit, ai ka qenë gjithashtu në gjendje të përdorë rrezet e diellit për të pikturuar njerëz e sende, madje edhe për të kapur formën e trupave qiellorë të largët.


Ne shohim në ç'rrugë të shumta njeriu ka qenë në gjendje t'ia nënshtrojë forcat e natyrës vullnetit të tij.


Sa e pikëllueshme është kur sheh sesi njeriu e ka përdorur dhuntinë e dhënë nga Bujaria Hyjnore për të krijuar mjete lufte, për të shkelur Porosinë 'Mos vrit' dhe për t'iu kundërvënë urdhrit të Krishtit 'Duajeni njëri-tjetrin'.


Perëndia ia ka dhënë këtë aftësi njeriut që ai ta përdorë për të çuar përpara qytetërimin, për të mirën e njerëzimit, për të shtuar dashurinë, harmoninë dhe paqen. Por njeriu parapëlqen ta përdorë këtë dhunti për të shkatërruar në vend që të ndërtojë, për padrejtësi e shtypje, për urrejtje, konflikte e rrënime, për vrasjen e njerëzve të tjerë, për të cilët Krishti ka porositur t'i duash si veten tënde!


Unë shpresoj se ju do ta përdorni gjykimin tuaj për të mbështetur unitetin dhe qetësinë e njerëzimit, për të ndriçuar e qytetëruar njerëzit, për të ngjallur dashuri tek të gjithë rreth jush dhe për të sjellë paqen universale.


Studioni shkencat, fitoni gjithnjë e më shumë dije. Padyshim, njeriu mund të mësojë deri në fund të jetës së tij! Përdoreni kurdoherë dijen tuaj në të mirën e të tjerëve; kështu lufta do të pushojë mbi faqen e kësaj toke të bukur dhe një godinë madhështore paqeje e harmonie do të ngrihet. Përpiquni që idealet tuaja të larta të realizohen në Mbretërinë e Perëndisë mbi tokë, ashtu si dhe në Qiell.

 

A jeni të interesuar për veten ose fëmijët tuaj në ngjarje dhe aktivitete të tilla si klasat e fëmijëve, grupet më të rinjë dhe grupet studimore për të rritur që kanë për qëllim të ndihmojnë në ndërtimin e një botë më paqësore dhe shpirtërore?

Jeni të ftuar përzemërsisht të merrni pjesë. Klikoni këtu tani për të mësuar më shumë!

 

Fisnik Komoni është “Këshillues për ushqim dhe shëndet të përgjithshëm” i trajnuar dhe çertertifikuar nga Akademia e Mjekësisë Natyrore (AKN - Akademie der Naturheilkunde) në Zvicerr.



6 Ansichten

Aktuelle Beiträge

Alle ansehen

Sa tokë i duhet njeriut?

Tregim nga Leo Tolstoi Motra e madhe nga qyteti vizitoi motrën e saj më të vogël në fshat. E moshuara ishte martuar me një tregtar në qytet dhe e vogla me një fermer në fshat. Motrat pinë çaj dhe bise

Bukuria e harmonia në shumëllojshmëri

Artikull nga libri "Bisedat e Parisit" nga 'Abdu'l-Bahá Krijuesi i gjithçkaje është një Pikërisht nga ky Krijues ka ardhur në ekzistencë gjithë krijimi dhe Ai është i vetmi synim drejt të cilit prire

Idetë e mira duhen vënë në veprim

Artikull nga libri "Bisedat e Parisit" nga 'Abdu'l-Bahá Në gjithë botën njeriu dëgjon të lavdërohen thëniet e bukura dhe të admirohen idetë fisnike. Të gjithë njerëzit thonë se u pëlqen e mira dhe s

bottom of page